Kombëtarja e Kosovës U21 nesër mbrëma do të përballet me Kombëtaren e Gejrmanisë U21 në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2025. Dardanët sot kanë zhvilluar stërvitjen zyrtare në Kampin Nacional në Hajvali.
Të përzgjedhurit e Afrim Tovërlanit kanë bërë përgatitjet e fundit për ti bërë ballë favoritit kryesor në grupin D, Kombëtares së Gjermanisë U21. Humbja ndaj Polonisë në udhëtim, nuk i ka demotivuar Dardanët që nesër mbrëma të japin maksimumin në “Fadil Vokrri”.
“Duhet të presim shumë luftë shumë angazhim, pak fat, më e mira do të ishte të mos pësojmë, por Gjermania është favorit dhe ajo që na takon neve është të bëjmë më të mirën dhe të kemi angazhim maksimal. Shkaku i gabimeve që kishim në udhëtim, do të ketë ndryshime në formacion dhe mungesa e Lindon Emërllahut dhe Elvis Letaj u vërejt edhe në Poloni. Kosova nuk e ka komoditetin që të zëvendësoj dy futbollist për një kohë të shkurt sepse potenciali ynë nuk është si i Gjermanisë apo shteteve tjera. Gjasat para ndeshjes gjithmonë janë 50/50 do të tentojmë të i dëmtojmë dhe t’i dënojmë, do t’ia lëmë lojës dhe do të shohim në fund të ndeshjes”.
Tovërlani ka ftuar tifozët Dardan që të vijnë në numër sa më të madh për të përkrahur futbollistët disa prej të cilëve sipas tij shumë shpejt do të i bashkohen kombëtares A.
Ju kujtojmë që biletat për ndeshjen Kosova U21- Gjermania U21 mund t’i blini përmes platformës online në linkun e mëposhtëm:
Çmimet e biletave janë si në vijim: Lindje 3 euro, Perëndim 8 euro dhe VIP 30 euro (pa katering, vetëm pije).