Kosova vendos të krijojë Task Forcë për rastet e dhunës ndaj grave

Kosova vendos të krijojë Task Forcë për rastet e dhunës ndaj grave

Shteti ka vendosur të themelojë Task Forcë, për rastet e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në bazë gjinore.

Ky veprim vjen pas vrasja që ndodhi sot në Pejë, i cili është rasti i dytë brenda pesë ditësh kur gratë dyshohet se u vranë nga bashkëshortët apo ish-bashkëshortët e tyre.

Sinjali ka mësuar se tashmë është nxjerrë një propozim vendim përmes të cilit është aprovuar kërkesa e Ministrisë së Drejtësisë për themelimin e kësaj Task Force.

Në dokument thuhet se Task Forca po themelohet për shkak të rasteve të shumta të dhunës në familje dhe rrjedhimisht vrasjes së grave nga bashkëshortët e tyre.

Prandaj është parë e nevojshme ndërmarrja e veprimeve të menjëhershme institucionale për krijimin e mekanizmave institucionalë për adresimin e këtyre çështjeve, si dhe parandalimin e këtyre dukurive.

Ndryshe, dita e mërkurë është shpallur ditë zie në Kosovë, në kujtim të të gjitha grave dhe vajzave të vrara në Kosovë si rezultat i dhunës në baza gjinore.

Ky vendim është marrë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas vrasjes së një gruaje nga bashkëshorti i saj, sot në Pejë.

Osmani tha se shoqëria duhet të jetë në zi çdo ditë derisa të ketë vrasje të grave.

“Nesër do të jetë ditë zie shtetërore në Kosovë, por shoqëria jonë do të jetë në zi çdo ditë përderisa të ketë vrasje të grave dhe vajzave tona”.

Related Articles