Një shqiptare e Kosovës ka denoncuar publikisht një rast të papërgjegjshmërisë që i ka ndodhur në parkimin P2, kati i katërt, rajoni 59, në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.
Pas kthimit nga pushimet, në orët e para të mëngjesit, ajo ka gjetur automjetin e saj të gërvishtur nga një tjetër mjet, ndërsa personi përgjegjës nuk kishte lënë asnjë shënim apo numër kontakti.
Ajo shprehet se është zhgënjyese që, si qytetare nga Kosova, të përballesh me një trajtim të tillë në Shqipëri. Sipas saj, mungon ndjeshmëria dhe përgjegjësia qytetare, ndërsa në atë orë të natës nuk kishte as mundësi ta raportonte rastin në polici, shkruan JOQ.
Ajo bën thirrje për më shumë kujdes dhe ndërgjegje në respektimin e pronës së të tjerëve, sidomos në hapësira publike si aeroportet.
Denoncimi i shqiptares nga Kosova:
Përshëndetje, po ju shkruaj për një denoncim publik për njërin që më ka gërvishtur veturën në mënyrë të pafajshme, duke mos lënë asnjë numër telefoni për surprizën që ma ka bërë. Duke e parkuar veturën te parkimi P2, në katin e 4-t, rajoni 59, te aeroporti i Tiranës, pasi që i kreva pushimet, gjeta këtë surprizë që më ka lënë pa fjalë. Pasi ora ka qenë 3 e natës sot, nuk kam mundur as ta paraqes rastin në polici. Por më vjen keq që ky është trajtimi që përballojmë ne shqiptarët e Kosovës në Shqipëri, më vjen keq…