Po binte shumë shi, kur Jetmir Morina të mërkurën mbrëma shkoi në autostradën A1 në drejtim të Zurichut kur në një moment, ai pa se kishte ndodhur një aksident trafiku. Siç raportojnë mediat zvicerane, 30-vjeçari gjeti vdekjen derisa ishte duke shkuar për t’i ndihmuar të aksidentuarit.
“Ai ishte duke folur në telefon me nënën dhe i tha se kishte parë një aksident dhe donte të shkonte të ndihmonte”, tregon vëllai i Jetmirit, Besart Morina për “Blick”.
Tentimi i Jetmirit për të ndihmuar përfundon me fatalitet. Ndërsa doli nga vetura, siç shkruan Policia e Kantonit të Zurichut, Morina u godit nga një veturë, që kishte humbur kontrollin në autostradë.
30-vjeçari u hodh mbi parmakë në rrugën kryesore që gjendej poshtë dhe u përplas nga një makinë tjetër.
Jetmiri u dërgua menjëherë në spital por, çdo ndihmë ishte vonë. Ai vdiq si pasojë e plagëve të rënda.
Vëllai i Jetmirit u njoftua në mbrëmje nga vëllezërit e kunatës së tij.
“Më telefonuan. Ishte shokuese, nuk doja të besoja”, tha Besarti.
“Më duhej t’u tregoja prindërve lajmin e rëndë. Ata dhe Jetmiri ishim shumë të afërt”, thotë Besarti.
Familja është në pritje të transferimit të trupit të Jetmirit në Kosovë.
“Jetmiri do të varroset në fshatin Topanicë në lindje të Kosovës”, thotë Besarti.
Ai mund ta përshkruajë me pak fjalë vëllain e tij, i cili ishte më i vogli nga tre fëmijët.
“Ai ishte njeriu më i mirë, më i dashur dhe më human të cilin e njoh. Ishte shembull në rrethin tonë”, thotë Besarti. “Ai ishte edhe bashkëshort dhe baba i dashur i tri vajzave, të moshave 5, 3 dhe njëvjeçare”.
Besarti ka treguar se Jetmiri ishte duke agjëruar.
“Pak para se të vdiste, ai kishte marrë një hurme me vete për të bërë iftar”, tregon Besarti, që është imam.
Jetmir Morina kishte studiuar në një shkollë të mesme islame në Kosovë dhe më pas kreu stomatologjinë.
Ai u transferua në Zvicër rreth 6 vjet më parë te gruaja e tij.
“Për fat të keq, ai nuk ishte në gjendje të punonte si stomatolog në Zvicër. Ai ishte në gjendje të vinte diçka në lëvizje që pas disa viteve të mund të bënte këtë punë në Zvicër. Por, Zoti kishte plane tjera. Për ne do të thotë se ai shkoi si njeri që po ndihmonte – dhe se Zoti donte ta merrte”, thotë Besarti.