Kosovarja në Gjermani, Lendita Musliu, e cila është kandidate për Landin e Bayernit, deklaroi se beson që shteti i Kosovës do të bëhet më i mirë se Gjermania, dhe se ajo do të jetë e para që do të kthehet në Kosovë.
Këtë, Musliu e tha gjatë intervistës në emisionin Edicioni Special në Klan Kosova, ku iu drejtua me mesazh të rinjve kosovarë duke i thënë që të kontribuojnë për vendin.
“Mesazhi im është që le të shkollohen, le të dalin jashtë por le të punojnë dhe kontribuojnë për Kosovën. Mos ta harrojnë Kosovën edhe pse dalin. Unë jam rritur në Gjermani por kurrë Kosovën nuk e kam harruar. Vetëm gjatë këtij viti është e gjashta herë që jam në Kosovë”.
“Ata që rrinë këtu le të kontribuojnë për këtu, le të punojnë këtu sepse do të vijnë ditë të mira, do të bëhet edhe më mirë se në Gjermani, dhe jam e para unë që kthehem”.
“Po, do të kthehem në Kosovë. Synimi im është me e bë Kosovën si në Gjermani, me e pas sigurimin ashtu si e ka Gjermania, të drejtat e punëtorit, të drejtat e njeriut, dhe plus politika sociale që varësisht këtu nuk funksionon, shëndetësia, etj. Nëse i arrijmë këto punë, për çka unë besoj se nuk do të shkojë larg dhe do t’i arrijmë, unë jam e para që do të kthehem në Kosovë”, deklaroi Musliu.