Kosovë: Fillon festivali i filmit rom

Kosovë: Fillon festivali i filmit rom

Rreth 30 filma zhanresh të ndryshme, të animuar, dokumentarë, të metrazhit të gjatë dhe të shkurtër, me pjesëmarrje nga e gjithë Evropa, po shfaqen këto ditë në kuadër të edicionit të gjashtë të festivalit të filmit që trajton çështje që lidhen me jetën e komunitetit rom, “Rolling Film Festival”.

Avni Mustafa, drejtor i këtij festivali ka njoftuar se synimi i festivalit te sivjetmë është shfaqja dhe vlerësimi i trashëgimisë kulturore të komunitetit rom, si formë e shmangies së paragjykimeve, që jo rrallë e ndjekin këtë komunitet.

“Ne besojmë se ende ka nevojë t’i tregojmë jo vetëm komunitetit rom por edhe atyre që nuk i takojnë këtij komuniteti se ne vërtetë kemi kulturën tonë unike. Vlerat tona, trashëgiminë tonë kulturore që kemi Duam ta shfaqim te njerëzit, ashtu që të mund të na njohin më mirë dhe të paktën të kemi trajtim të barabartë me pakicat tjera në Kosovë”, thotë ai.

“Rolling Film Festival” u organiza për herë të parë në vitin 2013, dhe mbahet çdo të dytin vit që atëherë, ndërsa gjednja e romëve në Kosovë mbetet pothuajse e pandryshuar, shton ai, duke saktësuar se për katër ditë me radhë do të mbahet ‘online’ për shkak të pandemisë së COVID-19.

“Të gjithë filmat do të shfaqen online në një faqe të posaçme interneti që e kemi krijuar, një platformë për shfaqje filmash. Këtë vit po ashtu për herë të parë do të kemi program për fëmijët ku do t’u rrëfehen përralla të vjetra rome, thotë ai.

Përfaqësues të organizatave humanitare në vazhdimësi tërheqin vërejtjen për diskriminimin që përjeton pakica rome në Kosovë. Ata thonë se pavarësisht që ky komunitet është integruar në sistemin politik të vendit, të drejtat e pjesëtarëve të këtij komuniteti janë shpesh herë të cunguara. Një pjesë e madhe e tyre jetojnë në varfëri të thellë, me mungesa të mëdha ushqimore e shëndetësore, pa shkollë, pa punë dhe pa strehim.

Related Articles