Edhe sot është zhvilluar debat parlamentar për rrymën e shpenzuar nga serbët në katër komunat veriore.
Dy propozim rekomandime sot ka paraqitur Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me pagimin e rrymës për serbet në katër komunat.
Propozimi i deputetes Mimoza Kusari-Lila i cili mori mbështetjen e Komisionit me 6 vota për, ishte që Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës, i njohur si KOSTT të marrë përgjegjësinë për pagesën e rrymës edhe për gjashtë muajt e ardhshëm dhe të mos obligohet Qeveria për këtë.
Sipas saj, obligim i qeverisë mbetet që të zgjidhë këtë çështje për shtrimin e autoritetit në Veri në fushën e energjisë brenda 6 muajve.
Ndërsa, kundër kësaj ishte kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala i cili theksoi se nuk duhet legalizuar kjo çështje për qytetarët serb në veri. Propozimi i tij ishte që Qeveria të paguaj edhe gjashtë muaj dhe jo KOSTT-i.
“Nuk jam për me legalizuar për mbulimin e shpenzimeve në veri. Qeveria duhet të bëj zgjidhje, unë jam kundër pagesës, por meqë nuk keni zgjidhje, mos të rrezikohet anëtarësimi me ENTS-E”, tha ai.
Ndërsa deputeti Uran Ismajli ka qenë kategorik që të ndërpritet mbulimi i shpenzimeve të energjisë elektrike për katër komunat veriore.
“Në pandemi kur shumë biznese dhe qytetarë janë në hall të madh të mbijetesës, ndërsa këtij kërkohet që KOSTT me te hyrat e saj të paguaj rrymën në veri. Kjo nuk duhet toleruar, por duhet të bëj zgjidhje vet Qeveria”, theksoi ai.
Deputeti Pal Lekaj tha se ngarkesa e KOSTT me 11 milionë euro është e pa tolerueshme. Deputeti Lekaj tha se asnjë zgjidhje nuk do të mund të bëj Qeveria për 6 muaj. Lekaj ngriti edhe rrezikun e shkeljes ligjore për këtë veprim.
Të martën ka raportuar Ministrja e Ekonomisë në këtë Komision e cila ka theksuar ende nuk kanë gjetur mjete për kërkesën financiare të KOSTT. Ndërsa, drejtues të KOSTT kanë thënë se kanë mjete të mjaftueshme nga të hyrat e tyre për pagesë vetëm e vetëm që të ruajnë anëtarësimin me ENTS-E. Me 6 vota për, Komisioni votoi propozimin e deputetes Mimoza Kusari.