Ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, ka folur për ecurinë e Konferencës së Rambujesë, ku përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte Madeliene Albright, e cila vdiq dje.
“Mund të them se ajo ka qenë bërthama e Konferencës së Rambujesë”, tha Kosumi për Albright.
“Edhe në momentet më të mira, kur mendohej se gjithçka po shkon mirë, ajo ishte figura , por kur dukej se konferenca po dështon, ajo ishte gjeneratore që e rikthente në lojë tërë procesin, dhe energjia e saj i shtynte në lëvizje edhe shtetet tjera, madje edhe Rusinë, e cila ishte skeptike dhe donte diçka tjetër prej Konferencës së Rambujesë, ndërsa për delegacionin tonë ajo ishte më shumë se kaq, jo vetëm shtytëse, por edhe përkrahëse, dhe ndonjëherë kritikuese e veprimeve tona”, u shpreh ai në Info Magazin.
“Kishte momente kur ajo na jepte shpresë të ecnim përpara, por ka pasur momente kur punët nuk shkonin ashtu siç donim ne, kishte çaste kur rrezikohej të shkëputej gjithçka, dhe ishte një çast kur ajo tha se nëse edhe kjo nuk pranohet, ‘unë dua të tërhiqem prej procesi dhe nuk do të merrem më kurrë me çështjen e Kosovës’, por në fakt ishte vetëm një kërcënim, sepse nuk hoqi dorë, ajo përsëri mbeti dhe në fund e nënshkroi paragrafin me të cilën ajo garantonte që pas 3 vitesh të ketë një referendum ashtu siç e kërkonim ne”.
Profesori universitar tregoi se delegacioni kosovar kërkuan një garancion, që të bëhet një referendum u njohur ndërkombëtarisht, në të cilën populli i Kosovës do të shpallte vullnetin e vet politik, për ta bërë të pranueshme, për të cilën vetëm Albright pranoi.
“3 ditë nuk ka pasur negociata të përgjithshme, ka pasur negociata Kosovë-SHBA, ose delegacioni ynë dhe Albright”.
“Në të gjitha vendet e botës ajo ka qenë një uragan që ka mbrojtur të drejtën e qytetarëve, liritë themelore të njeriut”, tha Kosumi për ish-Sekretaren amerikane të Shtetit./Gazeta Enigma/