Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), ka pritur në takim një ekip të ekspertëve të Bashkimit Evropian në kuadër të Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve 2025.
Ky ekip i përbërë nga Agnes Doka, Eirini Skouzou dhe Constantin Marza u prit nga Kryetari i KPM-së Jeton Mehmeti.
Mehmeti tha se ky takim është vazhdim i bashkëpunimit në mes KPM-së dhe Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve e që KPM ka gatishmërinë të vazhdojë edhe më tutje deri në përfundimin e mandatit të këtij misioni.
Sipas njoftimit për media, ai e njoftoi ekipin e BE-së rreth përgatitjeve të KPM-së për monitorimin e mediave gjatë procesit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet nacionale 2025.
“Sa i përket rekomandimeve të raportit të zgjedhjeve të kaluara, KPM i ka adresuar të gjitha rekomandimet, për më tepër është avancuar korniza ligjore, ku është miratuar Rregullorja KPM-2024/03 për obligimet e mediave gjatë fushatës zgjedhore.
Kjo rregullore që rrjedh nga Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, përcakton obligimet e mediave sa i përket mbulimit të fushatës zgjedhore në mënyrë të drejtë, të balancuar dhe të barabartë për të gjitha subjektet politike”, tha ai.
Po ashtu u tha se në kuadër të përgatitjeve të përgjithshme për procesin zgjedhor, KPM ka miratuar Planin e Veprimit për monitorimin e mediave gjatë zgjedhjeve të përgjithshme.
“Plani i veprimit është i ndarë në tri pjesë që përfshinë aktivitetet e planifikuara para fillimit të fushatës zgjedhore, gjatë fushatës zgjedhore dhe pas fushatës zgjedhore. Periudha para fushatës zgjedhore përfshinë aktivitetet e KPM-së në hartimin e rregullores për sjelljen e mediave gjatë fushatës dhe heshtjes zgjedhore, si obligim i paraparë në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme të miratuar në vitin 2023.
Kjo periudhë përfshinë edhe aktivitetet që kanë të bëjnë me komunikimin dhe sensibilizimin e të licencuarve të KPM-së me qëllim të njoftimit rreth obligimeve të mediave gjatë këtij procesi. Në zbatim të këtij plani, KPM ka njoftuar të licencuarit rreth ndryshimeve në Ligjin për Zgjedhje dhe obligimet e mediave gjatë këtij procesi zgjedhor. Fushata e informimit ka përfshirë njoftimet e bëra përmes faqes zyrtare të KPM, përmes komunikimit zyrtar me email dhe në takimet regjionale me të licencuarit e KPM-së, ku takime janë mbajtur në Prishtinë, Prizren, Gjilan, Pejë dhe Mitrovicë”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, referuar komunikatës së KPM-së, nga ana Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve u tha se janë në Kosovë për të vlerësuar gjendjen aktuale dhe për të përcjellë punën rreth zgjedhjeve që do të mbahen në shkurt 2025.