KQZ-ja miraton buxhetin për organizimin e votimit më 21 prill në veri, kushton mbi 230 mijë euro

KQZ-ja miraton buxhetin për organizimin e votimit më 21 prill në veri, kushton mbi 230 mijë euro

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur të hënën ka miratuar shkurtimin e afateve të rregullta zgjedhore që lidhet edhe me votimin e largimit të kryetarëve nga funksioni në katër komunat veriore, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.

Votimi për këtë çështje përfshinte edhe disa plane dhe rregulloret të cilat janë miratuar me një shumicë votash.

Miratimi i shkurtimit të afateve të rregullta është bërë me 9 vota për dhe dy abstenim.

Tashmë është miratuar edhe buxheti i ndarë për organizimin e procesit të votimit për shkarkimin e kryetarëve në komunat veriore.

KQZ-ja ka bërë të ditur se janë ndarë 233.204 euro.

Po ashtu, Plani i aktiviteteve, Plani i informimit publik dhe Plani i buxhetit për procesin e votimit për largimin e kryetarëve janë miratuar me këtë shumicë votash.

Ndërkaq, plotësimi i ndryshimit të Rregullores për pranimin e stafit të përkohshëm është miratuar me 11 vota për.

Javën e kaluar, më 8 mars, KQZ-ja pasi kishte bërë verifikimin e nënshkrimeve të mbledhura në peticionet për shkarkimin e kryetarëve në veri, vendosi për datën e mbajtjes së votimit, që u propozua nga sekretariati.

Me tetë vota për dhe dy abstenime, anëtarët e Komisionit votuan rekomandimin që më 21 prill të votohet për apo kundër largimit të katër kryetarëve shqiptarë në komunat në veri të Kosovës.

Related Articles