Mbi 2 mijë e 300 pako të supozuara me fletëvotime nga diaspora për zgjedhjet e komunale janë tërhequr deri të mërkurën nga shërbimi votues i KQZ-së, teksa totali i atyre që janë regjistruar suksesshëm për të votuar në zgjedhjet e 17 tetorit është 15 mijë e 532 qytetarë.
Të gjithë këta votues ishin regjistruar gjatë periudhës 40 ditore nga 10 korriku deri më 18 gusht.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë se afati i fundit kur do të pranohen këto fletëvotime është 15 tetori.
“Mund të ju konfirmoj se deri më tani Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes shërbimit votues, ka tërhequr 2,337 pako të supozuara me fletëvotime, pra të cilat kanë ardhur nga jashtë Kosovës. Gjatë periudhës së aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, kemi 15 532 qytetarë të cilët kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës dhe të cilët mund të votojnë përmes postës. Fletëvotimet duhet të pranohen nga ana e KQZ-së më së largu deri më 15 tetor”, u shpreh Elezi.
Tutje ai ka bërë të ditur se emrat e të regjistruarve jashtë vendit, do të largohen nga listat votuese, e cila shpërndahet ditën e zgjedhjeve.
“Duke u mbështetur në rregullën zgjedhore për votim jashtë vendit, KQZ-ja ka përpiluar listën e votuesve jashtë vendit, pra e cila përfshinë të gjithë ata qytetarë të cilët kanë arritur të regjistrohen si votues jashtë Kosovës dhe këta emra KQZ-ja do t’i largojë nga lista votues, e cila shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve, më 17 tetor”, ka thënë Elezi për EO.
Numri i aplikacioneve të pranuara për çdo komunë, sipas KQZ-së, është si në vijim: Deçan 817, Gjakovë 1,088, Gllogoc 175, Gjilan 607, Dragash 1,094, Istog 707, Kaçanik 165, Klinë 437, Fushë-Kosovë 135, Kamenicë 442, Mitrovicë e Jugut 272, Lipjan 308, Novobërdë 94, Obiliq 60, Rahovec 383, Pejë 930, Podujevë 336, Prishtinë 666, Prizren 923, Skenderaj 324, Shtime 116, Shtërpcë 20, Suharekë 1,859, Ferizaj 522, Viti 753, Vushtrri 174, Zubin Potok 54, Zveçan 2, Malishevë 702, Junk 1,051, Mamushë 245, Han i Elezit 86, Graçanicë 11, Ranillug 1, Kllokot 10 dhe Mitrovicë e Veriut 8 aplikacione.