KQZ: Pritet që rezultatet përfundimtare të shpallen para datës së planifikuar

KQZ: Pritet që rezultatet përfundimtare të shpallen para datës së planifikuar

Shpallja e rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mund të bëhet para 19 janarit, siç ishte planifikuar.

Kështu ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka bërë të ditur se dinamika e punës në qendra komunale të numërimit të votave ka tejkaluar planifikimet e tyre.

“Aktualisht, jemi në fazën e përfundimit të aktiviteteve në të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit dhe në fillimin e procesit të numërimit të fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë vendvotimeve të rregullta, si: votimi jashtë Kosovës, votimi me kusht dhe votimi i personave me nevoja të veçanta. Në planifikimet e KQZ-së, përfundimi i aktiviteteve në QKN është paraparë të bëhet deri më 7 janar, por sipas dinamikës së punës kjo do të bëhet më shpejtë, gjatë kësaj fundjave. Numërimi i votave nga votimi në përfaqësitë diplomatike dhe nga votimi me postë ishte planifikuar të bëhet nga data 7 janar, por kjo po fillon më herët.”, deklaroi ai.

“Gjithashtu, edhe numërimi i votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta ishte planifikuar të fillonte më 16 janar, por dinamika e punës tregon se kjo mund të bëhet shumë më herët. Nga kjo mund të përfundojmë se edhe rezultatet përfundimtare të planifikuara për t’u shpallur më së largu deri më 19 janar, mund të shpallen më herët.”, tha tutje.

Related Articles