Në dhjetëshet e partive politike të kandidatëve për deputetë nga rezultatet preliminare të KQZ-së, bëjnë pjesë nga tre gra për secilin subjekt si më të votuarat.
Kjo sipas rezultateve të publikuara nga numërimi i votave në Qendrat Komunale të Numërimit. Sipas KQZ-së, deri në ora 16:34, janë numëruar 92,58% e votave, apo 2 mijë e 345 vendvotime nga 2 mijë e 533 sa janë gjithsej.
Nga këto rezultate, nga partitë politike më e votuara del Lëvizja Vetëvendosje me 40,80%, Partia Demokratike e Kosovës me 22,05%, Lidhja Demokratike e Kosovës me 17,64%, si dhe koalicionit Kosova Fituese me 7,46%.
Në listën e Lëvizjes Vetëvendosje prej grave më të votuara janë: Albulena Haxhiu me 92 mijë e 29 vota, Donika Gërvalla me 81 mijë e 862 vota dhe Mimoza Kusari-Lila me 63 mijë e 561 vota.
Partia Demokratike e Kosovës në dhjetëshen e parë prej më të votuarve, ka tri gra e para është Vlora Çitaku me 35 mijë e 754 vota, e dyta vjen Sala Jashari me 32 mijë e 597 vota dhe Ganimete Musliu me 26 mijë e 862 vota.
Në Lidhjen Demokratike të Kosovës si më e votuara nga gratë doli Doarsa Kica-Xhelili me 46 mijë e 90 vota, e dyta është Hykmete Bajrami me 43 mijë e 87 vota dhe Jehona Lushaku-Sadriu me 23 mijë e 18 vota.
Në koalicionin Kosova Fituese më e votuara nga gratë doli Time Kadrijaj me 13 mijë e 162 vota, pas saj vjen Arbëreshë Krasniqi me 10 mijë e 958 vota, si dhe Xhevahire Izmaku me 9 mijë e 572 vota.
Ky institucion njofton se procesi i numërimit të votave është duke vazhduar ende, dhe se në këto rezultate nuk përfshihen rezultatet e votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave nga votimi jashtë Kosovës, numërimi i të cilave do të bëhet gjatë ditëve në vazhdim në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.