KQZ s’ka datë për rezultatin përfundimtar – balotazhi më 9 nëntor

KQZ s’ka datë për rezultatin përfundimtar – balotazhi më 9 nëntor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka ende ndonjë datë se kur mund të ketë një rezultat përfundimtar për zgjedhjet komunale të 12 tetorit. Megjithatë, nga KQZ thonë se janë të angazhuar maksimalisht që sa më shpejt të dihen rezultatet përfundimtare.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar për KosovaPress aktivitetet që është duke zhvilluar ky institucion derisa të arrihet te shpallja e rezultateve përfundimtare. Sipas KQZ-së, deri të premten në mëngjes, 23 komuna kanë përfunduar aktivitetet në Qendrat Komunale të Numërimit.

“Aktualisht ne qendrat komunale të numërimit është duke u bërë verifikimi i rezultateve të zgjedhjeve për kryetar të komunave dhe verifikimi i rezultateve të zgjedhjeve për kuvende komunale… Më shumë se gjysma prej tyre tashmë kanë përmbyllur këtë proces dhe ato që kanë mbetur pritet ti shtohen është komunat tjera gjatë ditës së sotme, e premte por edhe gjatë fundjavës. KQZ shpall rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve pasi përfundojnë të gjitha procedurat në këto qendra komunale të numërimit si dhe pasi të bëhet numërimi i votave jashtë Kosovës, i votave të personave me nevoja të veçanta si dhe numërimi i fletëvotimeve me kusht. Pasi ta përmbyllet të gjitha këto procedura që parashihen me ligj, KQZ është në gjendje të shpall rezultatin përfundimtarë”, tha Elezi.

Ai tha se KQZ është duke u angazhuar maksimalisht që sa më shpejt të shpallë dhe certifikojë rezultatet përfundimtare, pasi më 9 nëntor duhet të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të Komunave.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke u angazhuar maksimalisht që sa më shpejt të shpall rezultatet përfundimtare sidomos nga gara për kryetar të komunave per faktin se sipas ligjit për zgjedhjet lokale raundi i dytë i zgjedhjeve mund të mbahet pas katër javësh ëe në këtë proces i bie të jetë data 9 nëntor… Shpallja e rezultatit përfundimtarë të një procesi zgjedhor nuk e përmbyll procesin sepse sipas ligjit për zgjedhjet. E përgjithshme palët mund të ankimohen ndaj këtij rezultati fillimisht në PZAP dhe çështja mund të shkoj deri në gjykatën supreme. KQZ duhet të pres vendimmarrjen e këtyre institucioneve para se te procedoj me certifikimin e rezultateve përfundimtarë”, tha ai.

Zgjedhjet e rregullta komunale u mbajtën më 12 tetor.

Shtatëmbëdhjetë komuna pritet të shkojnë në balotazh në zgjedhjet për kryetar 2025, pesë më pak se para katër vjetësh në Kosovë.

Prishtina, Prizreni, Gjakova, Gjilani, Dragashi, Kaçaniku, Klina, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Obiliqi, Peja, Rahoveci, Suhareka, Vitia, Vushtrria, Juniku e Kllokoti do të jenë pjesë e balotazhit.

Njëzet e dy komuna tashmë janë fituese ose katër më shumë se sa në vitin 2021.

Deçani, Drenasi, Istogu, Ferizaj, Lipjani, Novobërda, Podujeva, Skenderaj, Shtime, Kamenicë, Shtërpcë, Zubin Potoku, Zveçani, Malisheva, Mamusha, Hani i Elezit, Ranillugu, Parteshi, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi e Graçanica.

Related Articles