Kraki reagon ashpër pas incidentit në emisionin “Pressing”: Rasti do të ndiqet deri në fund, dhuna nuk duhet të normalizohet

Kraki reagon ashpër pas incidentit në emisionin “Pressing”: Rasti do të ndiqet deri në fund, dhuna nuk duhet të normalizohet

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Nezir Kraki, ka publikuar një reagim të fortë lidhur me një incident të ndodhur më 12 nëntor 2025 gjatë emisionit “Pressing” në T7, ku ai thotë se u përball me ofendime, shpifje dhe tentim-sulm fizik nga panelisti dhe gazetari Parim Olluri.

Në njoftimin e tij, Kraki e cilëson rastin “një ngjarje skandaloze dhe të paprecedentë”, që jo vetëm e uli nivelin e debatit publik, por edhe, sipas tij, “paraqiti rrezik real për sigurinë dhe integritetin personal”.

Sipas deputetit, gjatë debatit Olluri e ka ofenduar rëndë duke e quajtur “servil i Faton Pecit”, “servil i Donika Gërvallës”, “rrugaq”, “rrenc”, “mashtrues”, dhe etiketime të tjera, për të cilat Kraki thotë se është duke finalizuar padi për shpifje dhe ankesa në rregullatorët medialë.

Ai shton se situata ka eskaluar deri në tentim-agresion fizik, kur Olluri “u ngritë në këmbë me qëllim të qartë për ta sulmuar”, ndërsa ndërhyrja e panelistëve të tjerë e ka parandaluar përplasjen para kamerave.

Kraki njofton se menjëherë pas emisionit, ka dorëzuar kallëzim penal në polici, duke deklaruar se Parim Olluri ka kryer veprat penale “Kanosja” (Neni 181 i KPRK-së) dhe “Sulmi në tentativë” (Neni 187 paragrafi 1 lidhur me nenin 28). Ai thotë se provat me zë dhe figurë i plotësojnë elementet e veprave.

Në reagimin e tij, deputeti shprehet i shqetësuar me mënyrën si prokuroria ka trajtuar rastin, duke thënë se prokurori i lëndës nuk e ka ftuar aspak të dyshuarin për intervistë dhe ka sugjeruar që rasti të trajtohet si padi civile. Kraki e quan këtë arsyetim “absurd” dhe një standard të papranueshëm drejtësie.

Ai kritikon gjithashtu heshtjen e mediave dhe mungesën e reagimit nga kolegët deputetë e nga skena politike, duke pyetur nëse “dhuna fizike në media është normalizuar tashmë”.

Deputeti ngrit shqetësimin se si mund të ndihet një qytetar i zakonshëm nëse një deputet trajtohet me “neglizhencë, mosveprim dhe heshtje institucionale”.

Në fund të deklaratës së tij, Kraki thekson se rasti “do të ndiqet deri në fund me të gjitha mjetet ligjore”, duke përsëritur se “dhuna nuk duhet të normalizohet” dhe se në një shtet demokratik “askush nuk është mbi ligjin”.

Related Articles