Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar sërish se kjo parti nuk ka votë për Albulena Haxhiu, pas ndërprerjes së seancës konstituive.
Krasniqi fillimisht para mediave deklaroi se Vetëvendosje po e përdor deputetin Astrit Deharin.
“Duke keqpërdor në mënyrë më eklatante një njeri të moshuar, që është deputet, z.Dehari, edhe sot tentuan që vërtetë të imponojnë vullnetin e tyre, duke shkelur Kushtetutën.
Qytetarët nuk na kanë votuar as për ta shkelë ligjin, as për ta shkelë Kushtetutën” – tha ai, transmeton Nacionale.
Tutje, ai theksoi qartë se nuk kanë votë për Albulena Haxhiun.
“As herën e parë, as herën e 10-të, as herën e 100-të nuk kalon Albulena Haxhiu sepse nuk e meriton ky Kuvend ta ketë në krye të ketë një figurë të tillë.
E dimë edhe në siç e dini edhe ju, Albin Kurti nuk ka vota për me u bë kryeministër. Dhe kjo është arsyeja pse po e mban peng shtetin, Kuvendin” – tha Krasniqi.