Krasniqi dyshohet se nisi keqpërdorimet me kompaninë sllovene ende pa i bërë dy javë si Kryeshef, dëmi mbi tre milionë

Krasniqi dyshohet se nisi keqpërdorimet me kompaninë sllovene ende pa i bërë dy javë si Kryeshef, dëmi mbi tre milionë

Ish-Kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit, i është ngritur dje aktakuzë nga Prokuroria Speciale. Dyshimet janë se ai kishte filluar të keqpërdorë detyrën zyrtare ende pa i bërë dy javë nga dita kur ishte emëruar në këtë pozitë e deri ditën kur ishte arrestuar, në prill të vitit të kaluar. Sipas aktakuzës, Krasniqi i kishte mundësuar tregtimin e energjisë një kompanie sllovene në Kosovë, e cila nuk kishte licencë, duke dëmtuar kështu KEK-un në vlerë rreth 3 milionë e 230 mijë euro.

Rreth 16 muaj i janë dashur kohë Prokurorisë Speciale për ta ngritur aktakuzën ndaj ish-Kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqit. Krasniqi dyshohet se ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar nga 15 tetori i vitit 2021 deri më 19 prill 2023, kur edhe u arrestua.

Një pjesë e aktakuzës është publikuar sot në media. Aty thuhet se Krasniqi dyshohet se i ka mundësuar kompanisë sllovene “Holding Slovenske Elektrane” tregtimin e energjisë në Kosovë, pa pasur e njëjta licencë.

Keqpërdorimin e detyrës dyshohet se ai e kishte filluar ende pa i bërë dy javë nga marrja e detyrës së Kryeshefit. Ai ishte zgjedhur në këtë pozitë me 4 tetor 2021.

Nga veprimet e Krasniqit thuhet se KEK është dëmtuar për mbi 3 milionë e 230 mijë euro.

“Duke filluar nga data 15 tetor 2021 e në vazhdimësi deri me datë 19 prill 2023, në Prishtinë, në cilësinë e personit zyrtar respektivisht Kryeshefit Ekzekutiv në Korporatën Energjetike të Kosovës, shfrytëzon detyrën zyrtare me qëllim që operatorit ekonomik “Holding Slovenske Elektrane” – HSE nga Sllovenia t’ia mundësoi tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës…ashtu që me dashje aprovon blerjet, nënshkruan kontrata dhe autorizon nënshkrimin e tyre si dhe konfirmon vazhdimin e tregtimit me operatorin në fjalë, ani pse ishte në dijeni se nuk mund të tregtohej energji elektrike me këtë operator derisa ai nuk licencohej apo nuk i njihej licenca nga Zyra e Rregullatorit për Energji, me ç’rast të njëjtit i mundësohet përfitimi pasuror dhe shmangia nga pagesat tatimore në Republikën e Kosovës apo në vlerë prej 531.920.79 euro, dëmtimin apo diskriminimin e operatorëve ekonomikë konkurrent që operonin në tregun e Kosovës e që ishin të licencuar dhe i nënshtroheshin obligimeve tatimore si shkaktimin e dëmit material Korporatës Energjetike të Kosovës në shkallë të madhe apo në vlerë prej 3,229,905.00 euro”, thuhet në aktakuzë.

Tregtimi i energjisë me kompaninë sllovene ishte përmendur edhe në raportin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, ku për këtë dhe shkelje të tjera, ZRRE e kishte gjobitur KEK’un me 3.2 milionë euro.

Sipas raportit të publikuar në faqen zyrtare të ZRRE-së, një prej shkeljeve që kishte bërë KEK ishte nënshkrimi i kontratës kornizë me kompaninë “Holding Slovenske Elektrane”, kompani e cila nuk ka licencë të lëshuar nga autoritetet kosovare.

Sipas ZRRE, KEK ka vazhduar të blejë energji nga kjo kompani përkundër vërejtjeve dhe kërkesave që ka marrë.

“Lidhur me kёtё, ZRRE ka reaguar disa herё pёrmes e-mail-it zyrtar dhe me shkresё zyrtare, ku ka kёrkuar nga KEK qё tё veprojë nё pajtim me obligimet ligjore tё cekura mё lartё, dhe tё ndaloj aktivitetin e tregtimit tё energjisё elektrike me ndёrrmarje tё pa licencuara. Pёr mё tepёr, ZRRE me datё 19.08.2022, ka monitoruar procesin e tregtimit tё energjisё elektrike nё kohё reale, dhe ka vërejtur se pavarёsisht vёrejtjeve dhe kёrkesave tё ZRRE pёr ndalimin e tregtimit tё energjisё elektrike me ndёrrmarje tё palicencuara, KEK ende kryen aktivitetin e tregtimit tё energjisё elektrike nё mos pajtueshmёri me obligimet ligjore”, thuhej në raportin e ZRRE-së.

Related Articles