Një formulë e mundshme për të kapërcyer bllokadën rreth zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit të Kosovës është propozuar nga Albert Krasniqi i organizatës joqeveritare Demokracia Plus.
Sipas tij, një qasje fleksibile që përfshin kompromis mes pozitës dhe opozitës do të mundësonte funksionalizimin e institucioneve pa rritur tensionet politike.
“Meqenëse Glauk Konjufca është i pranueshëm nga partitë opozitare për Kryetar të Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje mund ta propozojë atë për këtë pozitë, ndërsa Albulena Haxhiun si nënkryetare të Kuvendit (për të cilët grupet parlamentare kanë diskrecion të plotë se kë propozojnë),” ka deklaruar Krasniqi përmes një reagimi publik.
Sipas tij, menjëherë pas konstituimit të Kuvendit, Konjufca mund të autorizojë Haxhiun që të ushtrojë detyrat e Kryetares dhe më pas të japë dorëheqje nga posti. “Kjo mund të bëhet edhe pa autorizim të posaçëm, sipas Rregullores së Kuvendit,” thekson Krasniqi, duke shtuar se “Rregullorja nuk parasheh ndonjë afat se sa gjatë një nënkryetar mund të ushtrojë detyrat e Kryetarit.”
Një zgjidhje e tillë, sipas tij, përfaqëson një “fitore për të gjithë”, pasi i mundëson opozitës të mos votojë drejtpërdrejt Albulena Haxhiun si Kryetare, ndërsa Vetëvendosjes t’i ruajë pozicionet kyçe brenda udhëheqjes së Kuvendit.
Ky propozim vjen në një kohë kur partitë politike janë në përpjekje për të tejkaluar ngërçin institucional që ka pasuar pas zgjedhjeve dhe janë nën presion për të garantuar funksionalitetin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re.