Profesori universitar, Milazim Krasniqi, ka reaguar ndaj deklaratave të deputetëve dhe anëtarëve të Vetëvendosjes të bëra ndaj KFOR-it për barrikadat në veri.
Krasniqi ka thënë se deputetët që po kërkojnë që KFOR-i të lëshojë rrugë, janë “injorantë” dhe se nese KFOR lëshon rrugë atëherë vakumi do të mbushet me policë e ushtarë të Serbisë.
“T’i thuhet KFOR-it “lësho udhë”, duhet të jesh shumë budalla. Nëse KFOR do të lëshonte udhë, duke injoruar rezolutën 1244, vakumin do ta mbushte policia dhe ushtria e Serbisë. Kaq gjë do të duhej ta dinte edhe deputeti më injorant edhe këshilltari më spekulant. Në të vërtetë, disa politikanë nuk e patën kuptuar mandatin e KFOR-it as në vitin 2004, por na ndodhi hataja. Ata që mbajnë mend, e dinë si përfundoi tragjikisht konfrontimi me KFOR-in.”, ka shkruar ai.
Ai pati edhe një këshillë për ta: “Pra, këshilla ime modeste për këta injorantë e aventurierë është: me KFOR-in mos u kruani. Vazhdoni të llomotitni në rrjete sociale kundër ne shqiptarëve, boll e keni atë mision pervers.“
Më tej, Krasniqi ka thënë se krejt gjendja në veri erdhi për shkak të mosdëgjimit të Amerikës nga kryeministri, Albin Kurti.
Ndryshe, deputetë e anëtarë të VV-së kanë reaguar ndaj KFOR-it duke i sulmuar ata për mosveprim ndaj barrikadave në veri.