Krasniqi i jep lamtumirën KEK-ut: Humbëm disa beteja kyçe, nuk arritëm të fitonim

Krasniqi i jep lamtumirën KEK-ut: Humbëm disa beteja kyçe, nuk arritëm të fitonim

Ish-kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ia ka dhënë lamtumirën e tij vendit ku punonte, duke thënë se rrugëtimi i tij ka mbaruar, ndoshta jo në mënyrën më të mirë që do të donte të përfundonte.

Krasniqi ka thënë se gjatë kësaj periudhe ka pasur shumë ulje-ngritje, kohë të vështira, por sipas tij, edhe disa momente gëzimi dhe kënaqësie.

“Gjatë këtij udhëtimi takova disa njerëz përrallorë, liderë frymëzues, sipërmarrës të pasionuar, profesionistë të përkushtuar, njerëz plot pasion, dëshirë dhe vullnet, punonjës që nuk kursejnë asgjë, veçse dhanë kontributin e tyre të plotë dhe maksimal në përballimin e krizës energjetike, duke punuar fort në transformimin e kompani nga një organizatë klubi e një vendi bamirësie në një kompani të vërtetë komerciale me qeverisje dhe menaxhim të duhur, duke u kujdesur për punonjësit e saj dhe palët e interesuara”, ka thënë Krasniqi në “Linkedln”.

Krasniqi është shprehur se nuk kanë arritur në objektivin e tyre përfundimtar, duke shtuar se humbën disa beteja kyçe gjatë rrugës.

“Por, ne lamë edhe disa gjurmë të mira pas dhe rrënjosëm thellë idenë dhe konceptin se ndryshimi dhe transformimi është i mundur. Ne gjithashtu lamë pas disa njerëz vërtet të mrekullueshëm që do të vazhdojnë ndryshimin dhe përfundimisht do të përfundojnë transformimin”, ka thënë Krasniqi.

Kujtojmë që më 24 prill të këtij viti, Bordi i Drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës ka liruar nga detyra Nagip Krasniqin.

“Bordi i Drejtorëve të KEK sh.a. ka marrë vendim për të liruar nga detyra tashmë ish Kryeshefin Ekzekutiv, z. Nagip Krasniqi”, thuhej në njoftim.

Related Articles