Krasniqi: Jam i bindur që Kurti s’i ka numrat për qeveri

Krasniqi: Jam i bindur që Kurti s’i ka numrat për qeveri

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi në konferencën për media ka deklaruar se nuk ka pas kurrëfarë kontakti apo komunikimi me Lëvizjen Vetëvendosje.

Ai tha se edhe nëse do të ndodhte një kërkesë nga ana e VV-së, nuk do të pranonin të diskutonin për qeveri me ta.

“Nuk kam kurrfarë kontakti as komunikimi me Vetëvendosjen. Nuk pres kurrfarë kërkese, por po e them përmes juve kot e dërgon kërkesën se për këtë çështje as që e diskutojmë me Albin Kurtin çfarëdo lloj qeverie në çfarëdo opsioni. Kjo është e qartë prej datës 10 shkurt, e ka thënë Bedri Hamza. Qëndrimet tona janë konsistente”, tha Krasniqi para gazetarëve.

Sipas Krasniqit, Kurti nuk i ka numrat për ta bërë qeverinë, por që i ka edhe 11 ditë kohë për ta provuar.

“Kurti e ka pranu mandatin nga presidentja, i ka edhe 11 ditë për me provu me bo qeverinë”.

“Jam i bindur siç kam qenë gjithmonë, që s’ka numra. E më pas ezaurimi i provës së parë, sjell atë të provës së dytë. Afatet kushtetuese janë të tilla, që mund të përfundojmë në zgjedhje mes 30 nëntorit deri më 14 dhjetorit, ndoshta me 7 dhjetor. E nëse na befason Kurti, mbesim me shku në zgjedhje në prill”, tha Krasniqi.

Related Articles