Analisti Albert Krasniqi u deklarua lidhur me procesin zgjedhor në Mitrovicën e Jugut, shkruan Gazeta Enigma.
Ai tha se ka dyshime të forta për manipulim të procesit zgjedhor në Mitrovicën e Jugut.
Krasniqi tha se vetëm në këtë komunë s’u përputhen rezultatet e Exit Poll-it me ato zyrtare, pjesëmarrja ishte më e madhe në raundin e dytë se në të parin dhe se kandidati i PDK-së, Arian Tahiri, ishte i vetmi që mori më pak vota në raundin e dytë se në të parin.
Postimi i plotë:
Rezultatet e raundit të dytë në Mitrovicë ngrejnë dyshime të forta për manipulim të procesit zgjedhor. Faktet janë kokëforta:
1. Exit poll-i nuk përputhet me rezultatet zyrtare – vetëm në Mitrovicë.
2. Pjesëmarrja më e madhe se në raundin e parë – ndër komunat e mëdha, vetëm në Mitrovicë.
3. Kandidati i vetëm që ka marrë më pak vota se në raundin e parë – sërish vetëm në Mitrovicë.
4. Fletëvotime të gabuara që nuk i përkasin vendvotimit.
Përtej fakteve zgjedhore, menaxhimi institucional ka qenë i papranueshëm:
5. KQZ u ngut ta shpallë “gabim teknik” pa hetim paraprak.
6. Kompania e shtypjes mori përgjegjësinë brenda pak orësh – pa asnjë verifikim serioz.
7. Prokuroria u mjaftua me deklarata të kompanisë.
8. Tenderi u dha si kontratë njëburimor, ndonëse kishte kohë të mjaftueshme për konkurrencë.
9. Kompania ka lidhje të njohura me eksponentë të partisë në pushtet.
10. Shteti dhe burimet publike janë keqpërdorur për qëllime elektorale – kush e përdor aparatin shtetëror për pushtet, mund ta përdorë edhe për vota.
Mitrovica duhet të shkojë në rivotim për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve dhe demokracinë. Nëse e pranojmë këtë si “gabim teknik”, nesër asgjë s’do të garantojë që vota jonë vlen. Po bëjmë regres, për të mbrojtur diçka që e kishim tejkaluar: zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
