Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në pesë vjetorin e arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara në Hagë, ka kërkuar drejtësi dhe liri për çlirimtarët.
Krasniqi në një postim në Facebook, ka thënë se për 1,826 ditë ata dhe familjet e tyre kanë përballuar vuajtjen me qetësi, durim e besim.
“Pesë vjet më parë, u ndaluan padrejtësisht katër nga udhëheqësit kryesorë të luftës çlirimtare: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Pesë vjet më vonë, procesi po vazhdon të zvarritet, padrejtësia të rritet ndërsa e vërteta që ne e njohim dhe e dijmë, ende s’e ka marrë verdiktin që e meriton. Ata shkuan në Hagë me kokën lart, pa u fshehur, pa u ankuar, pa kërkuar privilegje. Shkuan si burrështetas, si ushtarë të lirisë, me besim në drejtësi, me dinjitetin që ua dha historia dhe me dashurinë që ia dhanë Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.
Më tej, ai ka theksuar se historia e vendit tonë është shkruar me gjak dhe sakrificë dhe se asnjë gjykatë nuk mund ta rishkruajë atë.
“Sot, pesë vjet më vonë, me mirënjohje, mall e krenari, Kosova kërkon asgjë më pak se atë që u takon bijve të saj: Drejtësi, të vërtetën dhe liri për çlirimtarët!”, ka shkruar lideri i PDK-së.
