Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se ka takuar ambasadorin e OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, me ç’rast ka thënë se kanë diskutuar për zhvillimet aktuale në vend, posaçërisht në pjesën veriore të Kosovës.
Krasniqi thotë se ka shprehur shqetësimin e tij, për potencialin e përshkallëzimit të situatës në pjesën veriore të Kosovës.
“Është vendimtare që institucionet përgjegjëse për garantimin e sigurisë dhe ruajtjen e paqes atje të jenë në nivel të detyrës. Ne kërkojmë rikthim të normalitetit, shtetit ligjor dhe zhvillim të lirë të jetës atje për të gjithë qytetarët”, ka shkruar i pari i PDK-së.
Tutje thotë ai se me ambasadorin Davenport kanë diskutuar edhe për procesin e reformës zgjedhore në Kuvendin e Kosovës.
“Duke i uruar festat e fundvitit, ambasadorin Davenport e falënderova për konstruktivitetin dhe kontributin e tij për shtetin dhe shoqërinë tonë!”, ka shkruar Krasniqi.