Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kërkuar nga Qeveria që ta zgjidhë sa më parë problemin me mungesën e materialit për pasaporta, për bashkatdhetarët.
Ai shkroi në Facebook se mungesa e materialit, që u shkakton probleme mërgimtarëve për lëvizje në Kosovë, është problematikë që duhet të zgjidhet menjëherë, derisa tha se për këtë Qeveria nuk mund të shfajësohet.
“Fatkeqësisht, edhe në këtë vizitë të tyre, Qeveria nuk arriti që të paktën të sigurojë material për pasaporta, afatet e të cilave shumë mërgimtarëve tashmë u kanë skaduar. Qeveria, në vend se të bëjë kërkesa turpëruese drejt shteteve mike për lejimin e udhëtimit të qytetarëve me pasaporta të skaduara, duhet që urgjentisht këtë problematikë ta shndërrojë në prioritet”, shkruan ai.
Krasniqi pyeti Qeverinë pse vetëm Kosova në tërë Evropën s’ka material për pasaporta.
“Asnjë arsyetim nuk i shfajson qeveritarët e paaftë për të qeverisur në lidhje me mungesën e materialit për prodhimin e pasaportave. Janë bërë muaj të tërë dhe kjo tufë inkompetente nuk është në gjendje ta zgjidhë një problem të thjeshtë furnizimi. A di të tregojë ndokush nga Qeveria e fjalamanëve pse vetëm Kosova në tërë Evropën nuk ka material për pasaporta?”, shkruan ai në Facebook.