Krasniqi: Kur vendimet e organeve të drejtësisë janë në favor të VV-së ata i pranojnë, në të kundërtën i shpërfillin

Krasniqi: Kur vendimet e organeve të drejtësisë janë në favor të VV-së ata i pranojnë, në të kundërtën i shpërfillin

Drejtori i programeve në organizatën jo qeveritare “Demokracia Plus”, Albert Krasniqi, ka thënë se kur vendimet e institucioneve të drejtësisë janë në favor të partisë në pushte, Lëzizjes Vetëvendosje, theksohet rëndësia e respektimit të rendit ligjor, por se kur vendimet nuk përputhen me interesat e tyre, bëhet thirrje të shpërfillen procedurat ligjore në emër të “interesit të përgjithshëm (lexo: interesit të partisë)”.

“Ky mentalitet reflekton një qëllim të qartë: që institucionet e drejtësisë të veprojnë në funksion të nevojave politike të partisë. Kjo qasje shihet edhe në synimet për reformën në drejtësi, e cila duket më shumë si përpjekje për të siguruar kontroll mbi këto institucione sesa për të përmirësuar pavarësinë dhe efikasitetin e tyre”, shkroi Krasniqi në një postim në Facebook.

Ai tutje bëri një krahasim mes zëvendësministrit të tanishëm të Drejtësisë, Blerim Sallahut dhe atij të mëhershmit, Hajredin Kuqit.

“Rreziku bëhet edhe më i madh kur mesazhe të tilla bëhen nga zëvendësministri i Drejtësisë, i cili në teori duhet të jetë mbrojtës i procedurave ligjore. Por s’ka faj, sepse krahasuar me figurat e “regjimit të vjetër” siç është p.sh. Hajredin Kuqi, ky as rolin e asistentit të tij nuk do të mund ta kryente”, u shpreh Krasniqi.

Krasniqi i bëri këto komente pas kritikave të shumta të zëvendësminsitrit Sallahu kundrejt sistemit të drejtësisë. /Gazeta Enigma

Related Articles