Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, vizitën zyrtare në Washington DC e ka përfunduar me një takim në selinë e Këshillit Atlantik.
Krasniqi është pritur nga Drejtori i Qendrës Evropiane, Jörn Fleck dhe zyrtarë të tjerë të Këshillit Atlantik.
“Si një ndër organizatat amerikane më me ndikim në fushën e çështjeve ndërkombëtare, Këshilli Atlantik është i përkushtuar në formësimin e një të ardhmeje më prosperuese dhe më të sigurt globale. Në këtë kontekst, me Drejtorin e Qendrës Evropiane, Jörn Fleck, dhe zyrtarë të tjerë të Këshillit Atlantik, kishim një diskutim të hapur dhe përmbajtjesor lidhur me sfidat politike, ekonomike dhe ato të sigurisë, nëpër të cilat po kalon vendi dhe rajoni ynë”, është shprehur lideri i PDK-së.
Në këtë takim, Krasniqi shprehu qëndrimin dhe synimin e paalternativë të popullit të Kosovës për anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian, NATO dhe OKB.
“Së bashku me miqtë tanë në SHBA, nëpërmjet bashkëpunimit dhe ideve të përbashkëta, ne do të angazhohemi për hartimin e strategjive të mirëfillta politike në kuadër të vizionit tonë për të ndërtuar një vend më të lirë, më të sigurt dhe më prosperues”, tha ai.