Memli Krasniqi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, deklaroi se nuk është ndjerë asnjëherë i kërcënuar.
Krasniqi tha se ka qenë vlerësimi i organeve të sigurisë për t’ia ofruar mbrojtjen e afërt.
Pas takimit me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, ai u shpreh se këto kërcënime ndërlidhen me situatën e tensionuar në veriun e vendit.
“Nuk jam as jam ndjerë kurrë i kërcënuar edhe kur na kanë rrjedhë informacione, ose publikuar informacione për kërcënime me vrasje, siç i dini para pak muajsh. Por ka qenë vlerësimi i organeve të sigurisë, në këtë rast Policisë së Kosovës, unë besoj edhe me organet tjera të ndërlidhura e ndërvarura që të na ofrojnë mbrojtjen e afërt për arsye që unë besoj që ata do të duhej ata t’i tregojnë, por që ndërlidhen me zhvillimet dhe me situatën e tensionuar të përkeqësuar pas sulmeve në veriun e vendit”, deklaroi ai.
Së fundmi është raportuar që policia ka marrë në mbrojtje krerët e partive opozitare në vend për shkak të kërcënimeve nga grupet terroriste serbe.