Krasniqi: Nuk parashihet vendosja e administratorëve në komunat veriore

Krasniqi: Nuk parashihet vendosja e administratorëve në komunat veriore

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se Ligji për vetëqeverisje lokale nuk parasheh vendosjen e administratorëve nëpër komunat veriore, deri në zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen në pranverë.

Krasniqi ka thënë në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, se deri tani nuk ka asnjë ankesë për shërbimet në veri si pasojë e dorëheqjes së serbëve nga institucionet atje.

“Me Ligjin për vetëqeverisje lokale nuk parashihet mundësia e vendosjes së administratorëve nëpër komuna. Këtë të drejtë e ka vetëm Ministria e Financave dhe vetëm në rastet kur atakohet buxheti. Jemi në koordinim me zyrtarë të ndryshëm të komunave që të ofrohen shërbimet dhe të gjitha shërbimet që janë kompetenca të deleguara të komunave, është në planin tonë që këto shërbime të jenë në dispozicion të qytetarëve dhe deri sot nuk kemi asnjë ankesë”, ka thënë Krasniqi.

Zgjedhjet në katër komunat veriore që ishin caktuar të mbahen më 18 dhjetor, janë shtyrë për 23 prill të vitit 2023.

Shtyrja është bërë me kërkesë të ambasadorëve të QUINT-it dhe pas një konsultimi të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me përfaqësuesit e partive politike të shtunën.

Related Articles