Krasniqi pas raportit të RFS-së: Qeveria ta ndërpresë cenimin dhe përndjekjen e gazetarëve dhe mediave të lira

Krasniqi pas raportit të RFS-së: Qeveria ta ndërpresë cenimin dhe përndjekjen e gazetarëve dhe mediave të lira

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit ka thënë se gazetarët dhe punëtorët e mediave, historikisht kanë mirëmbajtur standarde, integritet dhe guxim të lartë edhe në kohërat më të errëta të vendit.

Andaj, sipas Krasniqit, zhvillimet e fundit në Kosovë, megjithëse në liri, paraqesin një pamje dhe një situatë tejet shqetësuese për median e lirë.

“Këtë vit, Kosova ka humbur 19 vende në Indeksin e Lirisë së Shtypit, në raportin e përpiluar nga organizata “Reporterët Pa Kufij” – vlerësimi më negativ ndonjëherë! Presioni në rritje i Qeverisë ndaj mediave të pavarura dhe shënjestrimi i gazetarëve të vendit tonë është kërcënim në rritje për lirinë e shtypit dhe fjalës së lirë”.

“Këto veprime të pushtetit janë tregues i një tendence më të madhe, më shqetësuese drejt shtypjes së medias dhe ndërhyrjes politike. Shkelje të tilla kërcënojnë parimet themelore të demokracisë dhe heshtin zërat kritikë që janë të nevojshëm për funksionimin e shëndetshëm të shoqërisë dhe shtetit tonë”, tha Krasniqi.

Më tej, ai tha se për gazetarët në Kosovë, sigurimi i një ambienti të sigurt, të  dinjitetshëm dhe me kushte më të mira të punës duhet të jetë prioritet.

“I bëjë thirrje Qeverisë që të ndërpres cenimin dhe përndjekjen e gazetarëve dhe mediave të lira të vendit tonë. Gazetarët duhet të vazhdojnë të punojnë pa frikën e hakmarrjes, censurës ose persekutimit”.

“Për gazetarët e Kosovës: ne shohim qëndrueshmërinë dhe përkushtimin tuaj. Puna e juaj është thelbësore – tani më shumë se kurrë – në përpjekjen që të mbajmë ndezur dritën e transparencës, llogaridhënies dhe integritetit demokratik. Mos u ndalni”, shkroi ai.

Reporterët pa Kufij sot kanë publikuar indeksin vjetor të lirisë së medias, ku Kosova ka rënë për 19 vende, nga e 56-ta sa ishte vitin e kaluar, në të 75-tin këtë vit.

Related Articles