Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovë, Memli Krasniqi, ka dhënë detaje pas takimit me presidenten, Vjosa Osmani për datën e zgjedhjeve, raporton Gazeta “Enigma”.
Krasniqi ka bërë të ditur se për zhvillimin e zgjedhjeve të rregullta ka propozuar datën 26 janar të vitit 2025.
Tutje ai ka shtuar se prapë kanë kërkuar zgjedhje të parakohshme.
”Sot, në takim me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetarët e partive tjera parlamentare në Kosovë, kam propozuar 26 janarin e vitit 2025 si datën optimale kur duhet të mbahen zgjedhjet e rregullta nacionale në vendin tonë. Partia Demokratike e Kosovës, duke parë keqqeverisjen e deritanishme, ka kërkuar disa herë zgjedhje të parakohshme”, tha Krasniqi.
“PDK ka qenë, është dhe do të jetë gati për zgjedhje në çfarëdo date. Kosova dhe qytetarët tanë kanë nevojë për një Qeveri të re, të përgjegjshme, kredibile dhe të aftë, e cila ka dijen dhe kurajon që të rikthejë vendin në kursin e duhur të zhvillimit dhe integrimit evropian”.
“PDK, sikur në secilën periudhë të rëndësishme të vendit tonë, do jetë aty për të dhënë kontributin e saj për shtetin dhe qytetarët. E, në zgjedhjet e reja nacionale, do të jetë aty edhe me platformën, kandidatin për kryeministër dhe listën më të mirë zgjedhore, për t’u ofruar qytetarëve alternativën që u ka munguar në katër vitet e fundit”, ka deklaruar Krasniqi.