Qeveria e Kosovës ka dënuar aktin e hedhjes së koktej molotovit në një nga shtëpitë e ndërtuara në lagjen “Kodra e Minatorëve”, në veri të Mitrovicës, raporton Gazeta “Enigma”.
Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka reaguar përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ku ka deklaruar se kërcënimet, shantazhet, pamfletet terroriste, nuk i frikësojnë qytetarët dhe as nuk e ndalojnë punën e tyre për sigurimin e banimit të qëndrueshëm.
“Rreth orës 00:30 gjatë mesnatës një patrollë policore ka identifikuar tym në një nga shtëpitë e ndërtuara nga Qeveria në lagjen Bergjani në Mitrovicën Veriore. Zjarri është fikur dhe dëmet janë sanuar. Fatmirësisht, nuk ka asnjë person të lënduar veç dameve materiale. Kjo nuk është hera e parë që ka sulme të tilla, mirëpo kjo nuk është as hera e fundit që do të ndërtohen shtëpi të reja”, ka shkruar Krasniqi.
Tutje ai ka shtuar se “Qeveria e Republikës së Kosovës e denon fuqishëm këtë akt dhe as ky e asnjë sulm tjetër nuk e ndal kthimin e banorëve në pronat e tyre. Kërcënimet, shantazhet, pamfletat terroriste, nuk i friksojnë qytetarët dhe as nuk e ndalojnë punën tonë për sigurimin e banimit të qendrueshëm”.
“Ky sulm është nxitje e mosdurushmërisë etnike e cila nxitet nga Vuçiçi i cili ka mbetur i mbyllur në propagandën e tij dhe e ka humbur kontrollin e strukturave paralele në pjesën veriore”, ka shkruar ai. /Gazeta Enigma/