Memli Krasniqi, kryetari i PDK-së, thotë se Qeveria Kurti po i vjedh sofrat e qytetarëve, pas publikimit të një audio-incizimi ku një certifikues flet për presionin që po i bëhet për ta certifikuar grurin e blerë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ndonëse mungonte një sasi e madhe e produktit.
Krasniqi ka shpërndarë një pjesë nga fjalimi i tij në Kuvend, ku kishte përmendur blerjen e grurit nga ministria.
Ai tha se aferat korruptive të Qeverisë po shumëfishohen dhe se kjo Qeveri nuk përfaqëson më vullnetin e qytetarëve. Kësisoj, sipas tij, duhet shkuar në zgjedhje të parakohshme qendrore.
Postimi i plotë i Krasniqit:
“Nga keqpërdorimi i qindra miliona eurove në energji, sot, Qeveria e Albin Kurtit, me emblemën e rreme të shpresës në ballë, ka futur duart edhe në sofrat e qytetarëve, duke vjedhur edhe produktet bazike ushqimore të rezervës shtetërore.
Afera e fundit – afera e grurit – është vulë e mentalitetit qeverisës të këtij pushteti të përqëndruar në korrupsion e keqpërdorim. Nuk ka ku shkon më poshtë se kaq. Apo ka?
Në dëm të interesit të shtetit dhe qytetarëve, kjo Qeveri u koordinua edhe me një kriminel si Radojçiqi. Kundër shtetit dhe të ardhmes së qytetarëve, kjo Qeveri i tensionoi raportet me aleatët tanë ndërkombëtarë. Kjo tufë keqbërësish i solli edhe sanksione Kosovës, ndërsa politikat e tyre të çoroditura po e shpopullojnë vendin anembanë – vetëm gjatë qeverisjes së Albin Kurtit gati 150 mijë qytetarë e kanë lëshuar vendlindjen në kërkim të perspektivës diku në shtetet perëndimore.
Derisa aferat dhe skandalet korruptive po shumëfishohen, tri nga elementet bazë që e përbëjnë shtetin e së drejtës sot po i mungojnë Kosovës: transparenca, llogaridhënia, drejtësia! Por, që të trija këto do t’i kërkojmë e do t’i realizojmë – deshën apo s’deshën pushtetarët e sotëm.
Kjo Qeveri nuk përfaqëson më vullnetin e qytetarëve. Kjo Qeveri nuk i mbron më interesat e shtetit. Zgjedhjet e reja dhe rikthimi i mandatit tek qytetarët janë e vetmja zgjidhje përpara. Sa më parë, aq më mirë – edhe për shtetin edhe për qytetarët!”.