Krasniqi: Po bëjmë skenim të situatës së pandemisë në komuna

Krasniqi: Po bëjmë skenim të situatës së pandemisë në komuna

Pas 12 ditësh Qeveria e Kosovës rihapi gastronominë dhe qendrat tregtare. Për të parë se cili është efekti i masave të ndërmarra por edhe të situatës së krijuar tek bizneset nga pandemia COVID-19, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal do të bëjë një vlerësim në nivel lokal.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha se pandemia ka ndikuar negativisht tek shumë biznese, por që njëherit janë duke bërë një vlerësim të situatës ku brenda 100-ditëshit do të krijohen edhe termet përmes të cilave do të ndihmohen komunat.

Ky studim do t’i ofrohet edhe Qeverisë së Kosovës për të parë se cila është situata e vërtetë në nivel lokal.

“Se sa ka pas efekt në këto dy javë është ajo që edhe ne si ministri jemi të fokusuar që shumë shpejt dhe brenda 100 ditësisht do t’i krijojmë termat e parë të referencës në mënyrë që të krijohet mundësia që komunat të pranojnë mbështetje nga ministria jonë dhe të skenohet situata e ndikimit të pandemisë në nivelin lokal. Pandemia ka pas ndikimin negativ edhe në biznes dhe në secilën sferë të jetës, mirëpo këtu më shumë ka pas efektin edhe në nivelin lokal. Cili është ky efekt real do të mundohemi ta kuptojmë shumë shpejt me një studim të përfunduar në 38 komunat e Kosovës në mënyrë që t’i ofrojmë Qeverisë së Kosovës se cila është situata e vërtetë në nivel lokal. Kjo për shkak se jo gjithherë komunat kanë kapacitetin njerëzor dhe profesional të mjaftueshëm që ta bëjnë vetvetiu këtë skenim të situatës”, tha Krasniqi.

Krasniqi thotë se në vazhdimësi kryetarët e komunave janë konsultuar rreth masave. Ai së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë mbajtur takime virtuale me kryetarët e komunave ku është diskutuar pikërisht për masat.

Për çka ai tregon se veprimet e ndërmarra nga qeveria për zbutjen e masave bazohen edhe nga opinionet e komunave. Por këto masa do të rishikohen sërish pas dy javësh.

“Kam qenë vazhdimisht në kontakt me ministrin e Shëndetësisë, Vitia, në mënyrë që të koordinohemi me komunat dhe kemi pas dy-tri takime me kryetarët e komunave sigurisht që këto takime virtuale dhe jemi munduar që të dëgjojmë drejtpërdrejt brengat e kryetarëve të komunave dhe të gjitha veprimet që janë ndërmarrë nga qeveria bazohen edhe në opinionet e kryetarëve të komunave në mënyrë që gjitha veprimet që janë ndërmarrë. Këto masa janë në fuqi për dy javët e ardhshme dhe vendimi i ri do të merret në kohën e duhur”, tregoi Krasniqi.

Ministri Krasniqi tashmë ka filluar edhe takimet me kryetarët e komunave. Fillimisht ai takoi kryetarin e Asociacionit të Komunave të Kosovës, e që njëherit edhe kryetar i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti.

“Kam një rend të takimeve me kryetarët e komunave deri tash kam pas mundësi t’i takoj dy. Kam filluar me kryetarin (e Lipjanit) që është edhe kryetar i Asociacionit të Komunave, me kryetarin Imri Ahmeti dhe pastaj kam vazhduar me takime të tjera dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe në komunikimet tona përpos punëve tona të zakonshme teme e diskutimit do të jetë edhe ndikimi i pandemisë, informimi i kryetarëve të komunave ku do të organizojmë edhe një konferencë të donatorëve dhe investitorëve të cilët janë të fokusuar edhe në nivelin lokal sigurisht kjo do të koordinohet me qeverinë”, tha Krasniqi për KosovaPress.

Ndryshe, sot pas 12 ditësh, u rihapen shkollat, gastronomia dhe qendrat tregtare në Kosovë. Qeveria në mbledhjen e së dielës vendosi që t’i zbusë masat antiCOVID-19, por u bë thirrje që masat për parandalimin e përhapjes së virusit të respektohen në tërësi.

Related Articles