Krasniqi: Protesta studentore e 1 tetorit, lëkundi themelet e Jugosllavisë së atëhershme

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se protesta studentore e 1 tetorit të 1997, lëkundi themelet e Jugosllavisë së atëhershme.

Krasniqi theksoi se ngritja e mijëra qytetarëve atë ditë, dërgoi sinjal të qartë se liria po zinte vend në zemrën e çdo atdhetari, transmeton Klankosova.tv.

“Protesta studentore e 1 tetorit të vitit 1997, e cila u shndërrua në protestë gjithëpopullore, lëkundi themelet e Jugosllavisë së atëhershme”, ka shkruar Krasniqi.

“Në ballë të kësaj proteste të madhe studentore, para 25 vitesh, do të gjendej Rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Ejup Statovci, dhe personeli akademik, që bashkë me studentët e nën organizimin e UPSUP, shfaqeshin si kurrë më parë, të bashkuar, të vendosur dhe me një zë kundër shtypjes dhe regjimit autoritar të Millosheviçit”.

“Ngritja e mijëra qytetarëve atë ditë, dërgoi sinjalin e qartë tek secili se liria po zinte vend në zemrën e çdo atdhetari, kundër çdo denigrimi që i bëhej popullit të Kosovës”.

“Këmbana që zgjoi vetëdijen liridashëse edhe në Prishtinë me 1 tetor, bëri që shumë studentë e studente të kapnin armët dhe t’i bashkoheshin radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – në shërbim të idealit të çlirimit. Nderim i përjetshëm të gjithë kontribuuesve për lirinë e Kosovës!”.

Related Articles