Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar ashpër ndaj Gjykatës Speciale pasi ish-presidentit Hashim Thaçi, nuk po i lejohet pjesëmarrja në varrimin e babait të tij, Haxhi Thaçit, i cili vdiq mbrëmë në QKUK.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi thotë se refuzimi i kërkesës së presidentit Thaçi nga Dhomat e Specializuara për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij është jo i drejtë dhe i papranueshëm.
“Ajo që po ndodh sot nuk ka lidhje me drejtësi, por me diskriminim. Nuk është ligj, por arbitraritet. Nuk është siguri, por çnjerëzi. Një Gjykatë ku drejtësia harron njeriun është një Gjykatë që ka humbur rrugën e saj”, ka thënë Krasniqi.
“Drejtësia pa ndjeshmëri është vetëm një mekanizëm i ftohtë, i pajetë, që nuk shërben as qytetarin, as shoqërinë. Historia nuk do të harrojë. E dhembshme dhe e papranueshme”, ka shtuar kreu i PDK-së. /Gazeta Enigma/