Krasniqi: Respektojmë vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes votës

Krasniqi: Respektojmë vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes votës

Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, u takua sot me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ku diskutuan për zhvillimet e fundit politike në vend, “me fokus të veçantë te procesi zgjedhor dhe rëndësia e përmbylljes së tij në përputhje me standardet më të larta demokratike”.

Krasniqi tha se për PDK-në, këto zgjedhje përfaqësojnë një moment të rëndësishëm për demokracinë tonë dhe një dëshmi e qartë e pjekurisë politike të qytetarëve të Kosovës.

“Në PDK, ne respektojmë dhe njohim vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes votës. Urojmë që vendi të ketë sa më shpejt një qeveri të re funksionale, e cila do të adresojë sfidat dhe prioritetet shtetërore me përgjegjësi dhe dinjitet”, shkroi Krasniqi në një postim në Facebook.

“PDK mbetet e përkushtuar ndaj një të ardhmeje më të mirë për Kosovën, pavarësisht pozicionit të saj politik. Ne jemi të bindur se vetëm përmes bashkëpunimit dhe një qasjeje konstruktive, vendi ynë do të vijojë rrugën e konsolidimit demokratik dhe integrimit euro-atlantik”, u shpreh tutje i pari i PDK-së. /Gazeta Enigma

Related Articles