Memli Krasniqi, kryetari Partisë Demokratike të Kosovës, është takuar me Adi Muzurovic, drejtorin për Ballkanin dhe Evropën Qëndrore të Këshillit të Sigurisë Kombëtare (NSC).
Kështu ka njoftuar Krasniqi në Facebook, ku ka shtuar se, në takim është diskutuat për situatën aktuale dhe zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, me theks të veçantë tek zhvillimet në Kosovë.
Tutje, ai ka thënë se, nuk ka liri, zhvillim e as integrim pa siguri, gjë të cilën Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë ofruar për më shumë se dy dekada Kosovës.
Postimi i plotë:
Gjatë vizitës zyrtare në Washington DC, zhvillova një takim të rëndësishëm me Adi Muzurovic, drejtorin për Ballkanin dhe Evropën Qëndrore të Këshillit të Sigurisë Kombëtare (NSC).
Bashkë diskutuam për situatën aktuale dhe zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, me theks të veçantë tek zhvillimet e fundit në Kosovë, me ç’rast ndamë shqetësimet e përbashkëta dhe u dakorduam për nevojën e koordinimit të plotë ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve.
Meqë sfidat e sotme kërkojnë një kuptim të ri dhe më të gjerë të sigurisë kombëtare, drejtorit të NSC i shpreha qëndrimin tim dhe të PDK-së se koordinimi dhe bashkëpunimi me partnerët tanë ka qenë dhe vazhdon të mbetet jetik për popullin e Kosovës.
Nuk ka liri, zhvillim e as integrim pa siguri, gjë të cilën Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë ofruar për më shumë se dy dekada Kosovës.
Mbi këtë akt të një partneriteti të besueshëm dhe themelor, ne mbesim thellësisht të përkushtuar që ta ruajmë e ta fuqizojmë këtë raport strategjik edhe në të ardhmen.