Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë në detyrë për ndarjen e 26 milionë eurove për studentë, raporton Gazeta “Enigma”.
Përmes një postimi në Facebook Krasniqi këtë veprim e ka cilësuar si përpjekje për blerje votash.
“Kryeministri në largim, i cili tashmë ka humbur çdo legjitimitet, duket se po e përjeton panikun nga humbja e madhe që e pret të dielën. Pas katër vitesh dështimesh në qeverisje dhe degradimi të sistemit arsimor, ai sot vendosi të ndajë 26 milionë euro, nga 100 euro për student, vetëm pesë ditë para zgjedhjeve. Kjo nuk është mbështetje e sinqertë për studentët, por përpjekje e hapur për blerje vote. Megjithatë, ky është një tjetër gjykim i gabuar për studentët kosovarë, sepse ata as nuk blihen e as nuk shiten”, ka shkruar Krasniqi.
Tutje ai ka ftuar studentët që t’i marrin paratë, por të dielën, në ditën e zgjedhjeve lokale, të ndëshkojnë kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
“Unë i ftoj studentët që t’i marrin ato mjete, që janë nga taksat e familjeve të tyre, por të dielën ta përdorin votën e tyre për ta ndëshkuar një kryeministër që ka rrezikuar të ardhmen e tyre dhe të shtetit”, ka shkruar ai. /Gazeta Enigma/