Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, së bashku me lidershipin e partisë, kanë pritur në Prishtinë udhëheqësit e Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës (ALDE), partisë pan-evropiane që mbledhin rreth vetes partitë liberale nga mbarë Evropa.
Delegacionin e ALDE-s, të prirë nga bashkëpresidenti i saj, Ilhan Kyuchyuk, Krasniqi i njoftoi për zhvillimet dhe reformat që ka ndërmarr PDK-ja së fundmi.
Krasniqi ka folur për iniciativat e fundit rreth fuqizimit të rinisë e posaçërisht grave, me theks të veçantë për vendimin e PDK-së për barazi gjinore në përfaqësim, 50/50, në të gjitha strukturat dhe organet vendimmarrëse.
Drejtuesit e ALDE-s u interesuan po ashtu edhe për zhvillimet e fundit aktuale politike në vend dhe për qëndrimet e PDK-së lidhur me to.
Kjo vizitë e drejtuesve të ALDE-s vjen pas shprehjes së vullnetit të PDK-së për anëtarësim në Aleancën e Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës, në Kongresin e mbajtur nga 2 deri 4 qershor të këtij viti në Dublin të Irlandës, ku i pranishëm ishte Kryetari Krasniqi.