Lideri i PDK-së, Memli Krasniqi, ka pritur në takim shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Ambasadorin Tomas Szunyog, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend, raporton Gazeta Blic.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se ambasadorit i ka shprehur qëndrimin e PDK-së se integrimi euro-atlantik për Kosovën është i pa alternativë dhe nuk guxon të rrezikohet nga askush.
Ai ka shtuar se për PDK-në është e papranueshme qasja e qeverisë, përjashtuese me miq dhe koordinuese me kriminelë.
Postimi i tij i plotë:
Sot, kisha kënaqësinë ta pres në selinë e PDK-së shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Ambasadorin Tomas Szunyog, me të cilin diskutuam për zhvillimet e fundit politike në vend.
Ambasadorit Szunyog i shpreha qëndrimin konsistent të PDK-së se integrimi euro-atlantik për Kosovën është i paalternativë dhe nuk guxon të rrezikohet nga askush. Ky është vizioni e misioni historik i shtetit dhe popullit tonë.
Qasja e kësaj Qeverie, përjashtuese me miq dhe koordinuese me kriminelë, për PDK-në është tërësisht e papranueshme dhe po i sjellë vetëm dëme vendit. Vetëm zgjedhjet e parakohshme mund t’ia sjellin Kosovës një Qeveri kredibile, ndryshe, dhe e cila rikthen vendin në kursin e duhur përpara.
Ambasadorin Szunyog e falënderova për angazhimin e tij dhe e sigurova se PDK do të angazhohet fuqishëm që përmes të gjitha mjeteve demokratike, të luaj rolin e saj konstruktiv në interes të shtetit dhe qytetarëve tanë.