Krasniqi takon Sorensenin: Nënvizova domosdoshmërinë e themelimit të institucioneve të reja

Krasniqi takon Sorensenin: Nënvizova domosdoshmërinë e themelimit të institucioneve të reja

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka takuar sot të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi tha se ka theksuar nevojën urgjente për avancimin e integrimit evropian të Kosovës dhe largimin e masave ndëshkuese që padrejtësisht po dëmtojnë qytetarët tanë.

“Sot, në selinë e PDK-së, prita në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen. Theksova nevojën urgjente për avancimin e integrimit evropian të Kosovës dhe largimin e masave ndëshkuese që padrejtësisht po dëmtojnë qytetarët tanë. Të dërguarit të BE-së i shpreha shqetësimin për arrestimet arbitrare të qytetarëve të Kosovës nga Serbia, si dhe për ndikimin negativ që këto veprime kanë në përpjekjet për paqe dhe stabilitet”, tha Krasniqi.

Ai gjithashtu u shpreh se ka nënvizuar domosdoshmërinë e themelimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja.

“Po ashtu, nënvizova domosdoshmërinë e themelimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja dhe legjitime, si parakusht për kthimin e besimit dhe funksionalitetit demokratik në vend. Vetëm atëherë, procesi i dialogut mund dhe duhet të marrë drejtimin e duhur, përmes një qasjeje të drejtë, të koordinuar dhe me njohjen reciproke në qendër të marrëveshjes përfundimtare”.

“PDK mbetet e përkushtuar ndaj rrugës evropiane të Kosovës, reformave demokratike dhe vlerave euroatlantike, dhe është mirënjohëse për rolin e Bashkimit Evropian në këtë proces”, ka shkruar tutje Krasniqi.

Related Articles