Drejtoresha për avokim në SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë, Remzije Krasniqi ka qenë e ftuar në “Info Magazinë” në Klan Kosova.
Ajo është shprehur thirrjet për mbrojtjen e fëmijëve ngecin në vesh të shurdhër.
“Kjo është mungesë e objekteve ose shërbimeve të tilla emergjente, fatmirësisht këtë muaj Ministria e Financave ka ndarë mjete për ndërtimin e shtëpive për mbrojtje të fëmijëve 72 orë dhe qendra të tjera që janë me prioritet. Deri më tani është mbuluar nga organizatat, për shkak se kapacitetet janë shumë të vogla të mbulohen prej insitucioneve publike”, u shpreh Krasniqi.
Tutje, ajo tha se institucionet janë të penguara për të ofruar shërbime, ose thirren në shërbime që organizatat i ofrojnë.
“Edhe rrugës deri këtu ne pamë shumë fëmijë që janë në kërkim lëmoshe dhe në punë të rënda dhe përkundër që bëjmë thirrje për mbrojtje të fëmijëve, thirrja ngec në vesh të shurdhër, edhe po t’i thërrasim tani në telefon, sikurse edhe institucionet po flasim dhe rastet e fundit që kemi pasur kontakt me institucionet janë të penguara për të ofruar shërbime, ose thirren në shërbime që organizatat i ofrojnë, apo në këtë rast viktima kthehet në vendim ku është dhunuar”, tha ajo.