Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës në përvjetorin e 248-të të Ditës së Pavarësisë.
“Në përvjetorin e 248 të Pavarësisë së SHBA-së, u shpreh urimet e përzemërta stafit të Ambasadës Amerikane në Republikën e Kosovës, Ambasadorit Hovenier, pjesëtarëve të Ushtrisë Amerikane në Kosovë dhe të gjithë qytetarëve amerikanë”, shkroi Krasniqi në një postim në Facebook.
I pari i PDK-së tha se kjo është një ditë që e feston e gjithë bota e lirë dhe demokratike, krah për krah me Shtetet e Bashkuara.
“Përkushtimi dhe mbështetja e palëkundur e treguar nga SHBA-të kanë frymëzuar shtetet anembanë globit, përfshirë Kosovën, që të nisin një rrugë të re – atë të lirisë dhe të zhvillimit”, shkroi ai më tej.
“Vlerat e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe barazisë, të promovuara nga SHBA-të, shërbejnë si udhëzues frymëzimi për të gjithë ato shtete që kërkojnë të ndërtojnë një të ardhme më të ndritur”.
“Gëzuar 4 Korrikun!”, përfundoi Krasniqi. /Gazeta Enigma