Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka uruar, 8 marsin – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, me ç’rast është shprehur krenar me veprën e shumë prej vajzave dhe grave të Kosovës, raporton Gazeta “Enigma”.
Ai s’la pa përmendur edhe faktin se shumë vajza dhe gra në Kosovë vazhdojnë të jenë subjekt i diskriminimit, dhunës në familje dhe në pamundësi për qasje të barabartë në punë, arsim e zhvillim ekonomik.
“Prandaj, në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, krahas festës, duhet zotuar dhe reflektuar thellësisht mbi padrejtësitë ndaj vajzave dhe grave, që paralelisht me njohjen e përpjekjeve të tyre të pa ndalura për më shumë barazi e të drejta, të bashkohemi me to në këtë përpjekje. Autonomia dhe të drejtat e barabarta të grave e vajzave nuk kanë alternativë.”, shkruan Krasniqi.
Krasniqi në këtë ditë, ka kujtuar dhe nderuar të gjitha nënat, motrat, gratë e vajzat kosovare të cilat mishërojnë sakrificën, përkushtimin e angazhimin jetik për çlirimin dhe ndërtimin e shtetit tonë.
“Partia Demokratike e Kosovës është krenare që, sikur asnjëherë më parë, ka numrin më të madh të përfaqësueseve gra në pozita udhëheqëse nëpër komunat e Kosovës. Pa dyshim, përpjekjet dhe rruga për një shtet i cili fuqizon edhe më tej gratë, nuk kanë mbaruar. Së bashku do të luftojmë çdo ditë, që Kosova të bëhet vend që mundëson fuqizimin politik, ekonomik dhe social të grave, që ato të marrin vendin e merituar në shoqëri. Gëzuar 8 Marsi, të gjitha grave dhe vajzave të Kosovës!”, shkruan Krasniqi në Facebook. / Gazeta Enigma.