Krasniqi viziton shoqatën “Down Syndrome Kosova”, PDK do vazhdojë mbështetjen ndaj kësaj kategorie

Krasniqi viziton shoqatën “Down Syndrome Kosova”, PDK do vazhdojë mbështetjen ndaj kësaj kategorie

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është shprehur se personat me sindromën Down meritojnë kushte më të mira dhe më shumë mundësi për të vepruar dhe zhvilluar një jetë më të dinjitetshme në vendin tonë.

Krasniqi përmes një postimi në facebook tha se kjo kategori është pjesë e shoqërisë sonë që duhet të mbështetet çdo ditë, jo vetëm me mekanizma ligjorë, por edhe duke ua hapur perspektivën përmes krijimit të kushteve më të favorshme për ta.

“Në Ditën Botërore të sindromës Down, sot vizitova shoqatën “Down Syndrome Kosova”, ku pashë nga afër aktivitetet dhe punën e jashtëzakonshme që ka bërë kjo shoqatë në avokimin dhe ngritjen e vetëdijesimit për nevojat e personave me sindromën Down.”, shkruan Krasniqi.

Lideri i PDK-së u shpreh se kjo shoqatë, përtej ofrimit të shërbimeve tepër të nevojshme për personat me sindromën Down, ju ka mundësuar atyre edhe angazhime konkrete drejt pavarësimit të tyre.

“Përkrahja për fëmijët me sindromën Down dhe familjet e tyre, nuk duhet të mungojë asnjëherë, për t’i kaluar së bashku sfidat e tyre të përditshme. Partia Demokratike e Kosovës, edhe nga pozicioni opozitar, do të vazhojë të mbështesë zbatimin e politikave të nevojshme për të gjithë personat me sindromën Down, për zbatimin e të drejtave të tyre, të cilat burojnë nga Kushtetuta dhe ligjet tjera të Republikës së Kosovës”, shkruan më tej Krasniqi./Gazeta Enigma/

Related Articles