Kremlini tha të hënën se një kundërpropozim evropian ndaj një plani amerikan të paqes për Ukrainën është “tërësisht jokonstruktiv dhe nuk funksionon” për Moskën.
Ndihmësi i Kremlinit për politikë të jashtme, Yuri Ushakov, pranoi se disa aspekte të planit amerikan që u propozua javën e kaluar i përshtaten më shumë Rusisë, edhe pse disa çështje kërkojnë diskutime më të hollësishme, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Plani amerikan i paqes i thelloi shqetësimet në Ukrainë dhe në mesin e aleatëve evropianë se kërkesat kyçe të Rusisë rreth heqjes dorë të Ukrainës nga anëtarësimi në NATO, rreth territorit dhe kronologjisë së ndonjë marrëveshjeje të paqes ishin pranuar nga Uashingtoni.
Plani evropian, ndërkohë, i ndryshon në masë domethënëse kuptimin dhe peshën e pikave kyçe rreth anëtarësimit të Ukrainës në NATO dhe rreth territorit.
Presidenti rus, Vladimir Putin, tha të premten se propozimet amerikane për paqe mund të ishin themel për një zgjidhje të konfliktit, por nëse Ukraina e refuzon planin, forcat ruse do të avancojnë më tutje.
Sipas disa burimeve, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, mund të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara këtë javë për t’i diskutuar aspektet më të ndjeshme të planit me homologun amerikan.
Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina kanë punuar në një plan “të rafinuar” për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.
Zelensky ka thënë se delegacioni ukrainas tashmë është larguar nga Zvicra dhe do të raportojë për diskutimet.
