Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, raporton Gazeta “Enigma”.
Bajrami ka reaguar pas deklaratave të Muratit për mos votimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës.
Murati e kishte fajësuar opozitën për mos kalimin e marrëveshjeve, duke përmendur veçanërisht një marrëveshje me Bankën Botërore prej 90 milionë eurosh me kamatë zero për 12 vite.
“Njëra ndër marrëveshjet e mbetura pa votuar është edhe ajo me Bankën Botërore në vlerë prej 90 milionë euro, e që e veçanta e saj është kamata 0% për 12 vite, të cilën do ta lakmonte secili shtet i botës. Mirëpo opozita jonë ka vendosur të mos e votojë, e kësisoj t’i bëjë opozitë shtetit duke menduar që po e dëmton qeverinë.” – tha Murati.
Pas kësaj deklarate Bajrami ka hedhur akuza drejt Muratit duke e quajtur ministrin përgjegjës për dështimet ekonomike.
“Ministri i cili çdo ditë krenohet se e ka ulë borxhin publik, sot paska vajtua qysh opozita katër vjet nuk e ka lënë me hy në borxh. Jo zotëri, me 9 shkurt qytetarët kanë me të gjykua ty se ty t’i kanë dhanë 51%, ata të kanë votua me krye punë e jo me u ankua se gjoja opozita të paska pengu. A po të kujtohet vetja kur ke që në opozitë? A donë me ta rikujtua me video? Kësaj qeverie i ka ”pengu” Gjykata Kushtetuese, Prokuroria, Policia, i ka ”pengu” opozita, Parlamenti, i ”pengon” edhe ardhja e Viti te Ri”, ka shkruar Bajrami.
Tutje ajo ka shtuar se “ministri i dështimeve ekonomike duhet të tregojë pse se ka bërë TVSH-në zero për miell, për vaj, për qumësht, për gjërat elementare? Natyrisht se s’ka përgjigje për mashtrimet elektorale e tash po del dhe po e fajëson opozitën për dështimet 4-vjeçare. Me ty ministër, larg po me duket 9 shkurti!”. /Gazeta Enigma/