Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i ka shpëtuar një atentati nga një “agjent i fjetur” rus, u tha gazetarëve kreu i Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, Vasyl Malyuk.
Ai pretendon se një komplot nga një ushtarak në pension, i cili thuhet se është punësuar nga Rusia “dekada më parë” përpara se të “aktivizohej”, u pengua.
Ai synonte të eliminonte presidentin e Ukrainës në aeroportin e Rzeszów në Poloni, dhe besohet se janë marrë në konsideratë disa opsione, duke përfshirë përdorimin e një droni dhe një “snajperi”.
“E gjithë kjo u zbatua, ne e arrestuam atë. Kolegët polakë punuan profesionalisht, ishte puna jonë e përbashkët me ta”, tha Malyuk.
“Do të doja të shfrytëzoja këtë mundësi për të falënderuar ABW të Polonisë (Agjencia e Sigurisë së Brendshme). Ky është analogu i SBU-së në Poloni, i ashtuquajturi shërbim special i brendshëm. Ne zbatuam një procedurë të rëndësishme penale së bashku me ta. Një pensionist ushtarak, një polak, i cili u rekrutua dekada më parë, besonte fort në idenë sovjetike dhe e ushqente qëllimin e tij gjatë viteve”, shtoi Malyuk.
Zyrtarët e SBU-së dhe oficerët polakë të zbatimit të ligjit nga Agjencia për Sigurinë Kombëtare e penguan planin.
UNN raporton se një tjetër përpjekje për të vrarë Zelenskyn u ndalua gjithashtu, e cila dyshohet se u organizua nga UDO (Administrata e Gardës Shtetërore të Ukrainës) dhe kolonelët e FSB-së.
“Një kolonel i ndaluar i UDO-së, kreu i Departamentit të Menaxhimit të Mbrojtjes Shtetërore. Këta janë ata që supozohet të mbrojnë zyrtarët e lartë në këtë vend, dhe ky është funksioni i tyre. Në të njëjtën kohë, ata po përgatitnin një atentat ndaj presidentit tonë, Volodymyr Zelensky”, theksoi Malyuk.
“Një kolonel tjetër u ndalua me të. Ata punonin për FSB-në e Federatës Ruse, përkatësisht për Shërbimin e 5-të”, tha për fund kreu i inteligjencës ukrainase.