Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka kritikuar Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin i cili kishte thënë se nuk kishte gjetur dokumentet në Prishtinë rreth dialogut por që ishte informuar për këtë gjatë vizitës së tij në Bruksel.
Kreu i LDK-së deklaron se ata i kanë dhuruar dokumentacionin e nevojshëm Qeverisë Kurti II për dialogun i cili ishte zhvilluar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Të bësh politikë është një gjë. Të bësh viktimën kur s’je i tillë është e panevojshme – është dobësi. Dokumentet e dialogut të janë dhënë ditën e pranimit të detyrës. Është ajo dosja e kaltër që pason me dorështrëngim nga paraardhësi yt. Aty i ke 29 faqe raport. I ke edhe dokumentet e dakorduara në secilin takim. E ke pozicionin politik të Kosovës, e analizën e ekspertëve – të njëjtëve që i ke angazhuar tani për konsultim. Nëse s’i mbanë mend, ke mundur të pyesësh. Nëse i ke humbur, ke mundur t’i kërkosh sërish. Nëse të janë dashur informata shtesë nga njerëzit e mi në LDK, jemi pesë minuta larg në Prishtinë. S’jemi të huaj kur është në pyetje vendi. E duam barabartë të gjithë. Ke mundur ta bësh secilin hap ndryshe përveç ankimit para miqve jashtë. Trego përgjegjësi. S’je më opozitë. Tani je Kryeministër. Udhëheq si i tillë” ka thënë ai.